top of page

Këtë vit nuk ka turistë!" – Pse e dëgjojmë të njëjtën fjali çdo verë?

Zonë Turizmi
Jul 31
3 min read

Nëse ka një fjali që përsëritet çdo sezon veror në industrinë e turizmit, ajo është: "Këtë vit nuk ka turistë."

E dëgjon nga hotelierët, restorantet, agjencitë turistike, operatorët e plazheve, kompanitë e transportit, madje edhe nga biznese që përfitojnë indirekt nga turizmi. Nëse do të bazoheshim vetëm te këto deklarata, do të krijonim përshtypjen se turizmi është në rënie pothuajse çdo vit.


Por, çuditërisht, kur sezoni përfundon dhe publikohen statistikat zyrtare, tabloja është shpesh krejt ndryshe. Numri i turistëve rezulton më i lartë, netëqëndrimet rriten dhe në shumë raste raportohen të ardhura rekord.


Atëherë lind një pyetje logjike: Si ka mundësi që çdo verë dëgjojmë ankesa për mungesë turistësh, ndërsa në fund të sezonit flitet për rekorde?


Kjo është një pyetje që më ka shoqëruar prej vitesh. Edhe vetë kam punuar për vite në kompani turistike dhe pothuajse çdo sezon dëgjoja të njëjtin diskutim: "Këtë vit nuk ka turistë", "sezoni është dobët", "nuk po ecën si vitin e kaluar". Mirëpo, kur sezoni mbyllej dhe analizoheshin shifrat, rezultati ishte shpesh krejt ndryshe. Kishte më shumë turistë dhe më shumë të ardhura se një vit më parë.


Pse ndodh kjo?


Së pari, çdo biznes e sheh sezonin nga këndvështrimi i tij. Nëse një hotel ka pasur më pak rezervime për disa javë, pronari mund të krijojë bindjen se i gjithë sezoni është i dobët.


Ndërkohë, turistët mund të jenë zhvendosur në një zonë tjetër ose të jenë shpërndarë te më shumë struktura akomoduese. Sot ka shumë më tepër hotele, apartamente, vila turistike dhe një ofertë shumë më të madhe në platforma si Airbnb. Si rezultat, edhe kur numri i turistëve rritet, ata ndahen mes më shumë bizneseve.


Një arsye tjetër lidhet me pritshmëritë. Në turizëm, askush nuk kënaqet duke përsëritur rezultatin e vitit të kaluar; të gjithë duan ta tejkalojnë atë. Nëse një biznes ka pasur një sezon të shkëlqyer, objektivi për vitin pasardhës është një fitim edhe më i madh. Kur kjo nuk ndodh në ritmin e pritur, lind menjëherë ndjesia se sezoni nuk po ecën mirë, edhe nëse shifrat janë ende më të mira se një vit më parë.


Nga përvoja ime, pronarët e bizneseve janë shpesh ata që krijojnë atmosferën e parë të stresit. Mjafton që disa dhoma hoteli të mbeten bosh për një natë, ose të ketë disa vende të lira në një fluturim charter, dhe menjëherë fillojnë komentet: "Kemi rënie", "këtë vit është dobët", "nuk është si vitin e kaluar".


Më pas ky perceptim kalon te menaxherët, të cilët – me ose pa vetëdije – e përcjellin të njëjtin mesazh te punonjësit. Brenda pak ditësh krijohet një atmosferë sikur sezoni po shkon drejt dështimit. Në realitet, mund të jemi përballë një sezoni me më shumë turistë dhe më shumë të ardhura se një vit më parë.


Duhet të jemi të drejtë edhe me sipërmarrësit. Është normale që ata të synojnë fitimin maksimal. Askush nuk investon miliona euro për t'u kënaqur me rezultate mesatare.


Megjithatë, ndonjëherë pikërisht kjo dëshirë për të arritur maksimumin bën që çdo dhomë e pashitur, çdo tavolinë bosh apo çdo vend i lirë në avion të perceptohet si një dështim. Por asnjë hotel, asnjë restorant dhe asnjë kompani ajrore nuk funksionon me 100% kapacitet gjatë gjithë sezonit.


Një tjetër element që shpesh harrohet është se statistikat tregojnë panoramën e përgjithshme, ndërsa bizneset përjetojnë realitetin e tyre individual. Është e mundur që turizmi në nivel kombëtar të jetë në rritje, ndërsa një biznes i caktuar të ketë pasur një sezon më të dobët për arsye që lidhen me çmimet, konkurrencën, marketingun apo cilësinë e shërbimit. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se i gjithë sektori është në krizë.


Prandaj, ndoshta duhet të bëjmë një dallim të qartë mes dy pyetjeve.

E para: A ka më pak turistë?

E dyta: A ka arritur biznesi fitimin që kishte planifikuar?


Këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, por në diskutimet e përditshme shpesh ngatërrohen.


Në fund të sezonit, faktet janë ato që mbeten. Nëse statistikat tregojnë më shumë turistë, më shumë netëqëndrime dhe më shumë të ardhura, atëherë ndoshta problemi nuk ka qenë mungesa e turistëve, por pritshmëritë shumë të larta që kishin disa biznese.


Ndoshta kjo është arsyeja pse e dëgjojmë çdo verë të njëjtën fjali: "Këtë vit nuk ka turistë." Jo sepse turistët mungojnë, por sepse në industrinë e turizmit pritshmëritë shpesh rriten më shpejt sesa vetë turizmi.


Autor: Lavdim Pepaj

 
 

Zonë Turizmi është një portal online që ofron informacione për industrinë e turizmit.

Gjithashtu, portali synon të lidhë konsumatorin me produktet turistike dhe t'i promovojë ato.

© 2024 Zonë Turizmi - Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

bottom of page