top of page

Miliona për resorte, por vetëm dy Flamuj Blu – a po harrojmë plazhet publike?

  • Zonë Turizmi
  • Jun 26
  • 5 min read


Flamuri Blu (Blue Flag) është një nga certifikimet më prestigjioze në botë për plazhet dhe marinat. Ai nuk jepet vetëm sepse një plazh ka ujë të kristaltë apo rërë të bukur. Për ta fituar këtë certifikim duhet të plotësohen standarde të rrepta për cilësinë e ujit, pastërtinë, menaxhimin e mbeturinave, sigurinë, praninë e rojeve të plazhit, edukimin mjedisor, aksesin për vizitorët dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme.


Me fjalë të tjera, Flamuri Blu nuk mat bukurinë që ta ka falur natyra. Ai mat aftësinë që ke për ta menaxhuar atë bukuri.


Rreth gjashtë vite më parë pata shkruar një opinion ku ngrija një pyetje shumë të thjeshtë:


Si është e mundur që Shqipëria, me një nga bregdetet më të bukura të Mesdheut, nuk kishte asnjë plazh me Flamurin Blu?


Sot, pas gjashtë vitesh, mund të themi se kemi bërë një hap përpara.


Nga zero kemi kaluar në dy Flamuj Blu.


Harta flet vetë: ndërsa brigjet e vendeve fqinje mbulohen nga qindra pika blu, Shqipëria me gjithë potencialin e saj bregdetar numëron vetëm dy.
Harta flet vetë: ndërsa brigjet e vendeve fqinje mbulohen nga qindra pika blu, Shqipëria me gjithë potencialin e saj bregdetar numëron vetëm dy.

Është një lajm pozitiv dhe duhet përshëndetur. Çdo standard i arritur në turizëm është një fitore. Por njëkohësisht lind pyetja:


A është ky ritmi që duhet të ketë një vend që çdo ditë flet për rekorde turistike, investime miliardëshe dhe ambicie për t'u bërë një nga destinacionet kryesore të Mesdheut?


Sepse problemi nuk është vetëm numri.


Problemi është edhe ku janë marrë këta Flamuj Blu.


Sot Shqipëria ka dy plazhe të certifikuara me Flamurin Blu, por të dy janë të lidhur me resorte turistike private. Kjo nuk e ul aspak vlerën e atyre që e kanë arritur këtë standard. Përkundrazi, meriton përgëzim.


Por pyetja që duhet të bëjmë është tjetër:


Pse ende asnjë nga plazhet tona publike më të famshme nuk ka arritur këtë certifikim?


Pse Dhërmiu, Himara, Ksamili, Borshi, Jala apo Livadhi, që janë ndër pasuritë më të mëdha turistike të Shqipërisë, ende nuk janë kthyer në modele të menaxhimit sipas standardeve ndërkombëtare?


Sepse pikërisht këtu qëndron dallimi me vendet e rajonit.


Greqi, mbi 620 plazhe mbajnë Flamurin Blu dhe shumica dërrmuese janë plazhe publike ose komunale.


Kroaci, mbi 100 plazhe dhe marina janë certifikuar sipas të njëjtit standard, ku edhe plazhet publike kanë qenë prioritet.


Mal të Zi, megjithëse ka një vijë bregdetare shumë më të shkurtër se Shqipëria, dhjetëra plazhe publike dhe gjysmëpublike janë pajisur me Flamurin Blu.


Ndërsa Shqipëria...

Pas gjashtë vitesh ka arritur në dy Flamuj Blu.


Kjo tregon se problemi ynë nuk është mungesa e bukurisë.


Problemi ynë është mungesa e standardeve dhe e një strategjie kombëtare për menaxhimin e plazheve publike.


Në Shqipëri flasim çdo ditë për marina.

Flasim për resorte.

Flasim për investime strategjike.

Flasim për miliarda euro.

Flasim për projekte gjigante që prezantohen si transformimi i madh i turizmit shqiptar.

Por ndërkohë ende nuk kemi arritur ta bëjmë certifikimin e plazheve publike një objektiv kombëtar.


Paradoksi është i madh.


Po flasim për miliarda euro investime, ndërsa nuk po arrijmë të menaxhojmë sipas standardeve ndërkombëtare plazhet publike që natyra na i ka falur falas.


Gjatë viteve që kam punuar si guidë turistike në Antalya kam kuptuar një gjë shumë interesante.

Shumë nga plazhet më të famshme nuk ishin ato private.

Konyaaltı. Kleopatra. Kaputaş. Patara.

Janë plazhe publike.

Dhe pikërisht ato janë bërë simbol i turizmit turk.

Jo sepse janë privatizuar.

Por sepse janë menaxhuar.


Aty ku shteti dhe pushteti lokal investuan në pastërti, siguri, roje plazhi, edukim mjedisor, infrastrukturë dhe standarde, aty erdhi edhe Flamuri Blu.


Ky është dallimi.


Nuk fitohet Flamuri Blu sepse ke ndërtuar një hotel luksoz.


Fitohet sepse ke ndërtuar një sistem që funksionon.


Dhe këtu lind një pyetje tjetër që, sipas mendimit tim, është edhe më e rëndësishme.


A mos vallë po krijojmë një model ku shteti heq dorë nga menaxhimi i plazheve publike, i lë ato pa standarde dhe më pas pret që një investitor privat t'i marrë në administrim për të arritur atë që vetë shteti nuk e bëri?

Nëse kjo është filozofia, atëherë kemi një problem shumë më të madh sesa mungesa e Flamujve Blu.

Sepse lind pyetja:


Çfarë po menaxhon shteti?


Nëse plazhet publike nuk arrijmë t'i mbajmë sipas standardeve ndërkombëtare dhe çdo sukses vjen vetëm pasi një zonë kalon në administrim privat, atëherë a nuk po pranojmë në heshtje se shteti ka hequr dorë nga një prej pasurive të tij më të mëdha?

Nuk ka asgjë të keqe që sektori privat të investojë. Përkundrazi, investimet private janë të domosdoshme për zhvillimin e turizmit.


Por shteti nuk mund t'ia delegojë edhe përgjegjësinë për standardet.


Në Kroaci, Greqi apo Mal të Zi, edhe plazhet publike synojnë të marrin Flamurin Blu. Kjo tregon se administrata publike e konsideron cilësinë e plazheve si pjesë të detyrës së saj dhe jo si një barrë që duhet t'ia kalojë dikujt tjetër.


Sepse nëse nesër çdo plazh i organizuar në Shqipëri do të jetë vetëm ai që administrohet nga një kompani private, atëherë duhet ta pranojmë edhe një realitet tjetër.


Shteti nuk po ndërton standarde. Po ia transferon ato privatit.


Dhe nëse vazhdojmë me këtë logjikë, lind një pyetje edhe më e madhe.


A do të mbetet roli i shtetit vetëm të japë leje dhe koncesione, ndërsa menaxhimin e vërtetë do ta bëjnë gjithmonë kompanitë private?


Nëse po, atëherë rrezikojmë që, në vend se të ndërtojmë një administratë publike të aftë për të menaxhuar pasuritë kombëtare, të krijojmë një shtet që vetëm pret investitorët, ndërsa qytetarët e tij përfundojnë duke punuar si staf i nivelit të tretë apo të katërt në kompanitë që menaxhojnë atë që dikur ishte pasuri publike.


Ndoshta nuk është ide e keqe të "vjedhim" ndonjë model nga fqinjët.


Jo detin, sepse det e plazhe kemi edhe vetë.


Jo bukurinë, sepse Dhërmiu, Himara, Ksamili, Borshi apo Jala nuk kanë nevojë të bëhen më të bukura.


Por të "vjedhim" mënyrën se si ata i menaxhojnë.

Të shohim si e bën Kroacia.

Të shohim si e bën Greqia.

Të shohim si e bën Mali i Zi.


Madje edhe Turqia, ku shumë nga plazhet më të famshme janë publike dhe megjithatë konsiderohen ndër më të organizuarat në Mesdhe.


Ndoshta fqinjët kanë qenë të zënë duke fituar qindra Flamuj Blu.


Ndërsa ne kemi qenë shumë të zënë duke prezantuar projektet e ardhshme miliardëshe.


Në fund, turisti nuk pyet sa miliarda euro janë investuar.


Ai pyet shumë më thjesht:

  • A është plazhi i pastër?

  • A është uji i sigurt?

  • A ka roje plazhi?

  • A është i organizuar?

  • A respektohet mjedisi?


Nëse përgjigjja është "po", ai do të rikthehet.

Nëse përgjigjja është "jo", as resorti më luksoz nuk do ta ndryshojë atë përshtypje.


Dy Flamuj Blu janë një fillim i mirë.


Por për një vend me bregdetin që ka Shqipëria, dy Flamuj Blu nuk duhet të jenë arsye për vetëkënaqësi.


Duhet të jenë një kujtesë se kemi ende shumë punë për të bërë.


Sepse turizmi nuk ndërtohet vetëm me resorte.


Turizmi ndërtohet me standarde.


Dhe ndonjëherë, një plazh publik i pastër, i sigurt dhe i certifikuar me Flamurin Blu i bën Shqipërisë më shumë reklamë sesa dhjetë projekte miliardëshe të prezantuara me pompozitet.


Autor: Lavdim Pepaj

 
 

Zonë Turizmi është një portal online që ofron informacione për industrinë e turizmit.

Gjithashtu, portali synon të lidhë konsumatorin me produktet turistike dhe t'i promovojë ato.

© 2024 Zonë Turizmi - Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

bottom of page