Ndoshta Investimi Më i Madh Ishte Vetë Debati
- Zonë Turizmi
- Jun 10
- 2 min read
Updated: Jun 23

Gjatë studimeve universitare në fushën e turizmit në Turq, na mësonin se sa shumë kishte investuar vendi për t’u bërë një nga destinacionet më të vizituara në botë. Flitej për strategji marketingu, fushata miliona euro dhe promovim në çdo cep të botës. Askush nuk na kishte thënë se ndonjëherë reklama më e mirë mund të vinte falas, madje edhe nga protestat.
Para disa viteve kam shkruar se si protestat kundër mbingarkesës turistike në Barcelonë, Venecia apo Mallorca, paradoksalisht, vetëm sa e shtonin interesimin për këto vende që tashmë ishin ndër më të vizituarat në botë. Por në rastin tonë, duket se po ndodh diçka edhe më interesante.
Pa paguar miliona euro për reklama dhe pa angazhuar ndonjë kompani të famshme marketingu, jemi duke i bërë reklamën më të mirë një zone që deri dje nuk njihej shumë, jo vetëm nga bota, por as nga vetë shqiptarët.
Sot situata ka ndryshuar.
Televizionet, portalet, rrjetet sociale dhe debatet publike kanë bërë që kjo zonë të përmendet çdo ditë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën. Ajo që deri dje ishte pothuajse e panjohur për shumë shqiptarë, sot është kthyer në një temë ndërkombëtare. Për këtë zonë po flitet edhe në Parlamentin Evropian. Mund të ketë diskutime për politikën, korrupsionin, interesat ekonomike apo mjedisin, por në fund emrat që po dëgjon bota janë gjithmonë të njëjtët: Zvërneci, Ishulli i Sazanit, Laguna e Nartës dhe flamingot.
Me pak sarkazëm mund të thuhet se protestuesit mund të dalin me dy fitore njëkohësisht. E para, nëse arrijnë të ruajnë bukuritë natyrore dhe karakterin unik të kësaj zone, që sipas tyre nuk duhet sakrifikuar në emër të çdo investimi.. E dyta, pa paguar asnjë euro për marketing, po e bëjnë Sazanin, Zvërnecin, Lagunën e Nartës dhe flamingot e saj më të njohura se kurrë më parë. Në fund, mund të rezultojë se jo vetëm që e mbrojtën zonën, por edhe e bënë të famshme pikërisht për bukuritë që kërkuan të ruanin.
Dhe kush e di, ndoshta pas disa vitesh do të vijmë në përfundimin se investimi më i madh nuk ishin resortet, por vetë debati. Ndoshta nuk do të na duhen qindra vila dhe ndërtime të reja. Ndoshta do të na duhet vetëm të ruajmë atë që kemi, të menaxhojmë më mirë vizitorët, të pastrojmë zonën, të krijojmë shtigje, pika vrojtimi dhe shërbime bazë.
Dhe nëse reklama vazhdon me këtë ritëm, mund të themi se flamingot mund të bëhen ambasadorët më të suksesshëm turistikë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë.
Ndonjëherë, mënyra më e mirë për ta bërë një vend të famshëm është pikërisht përpjekja për ta ruajtur atë
Autor: Lavdim Pepaj