top of page

Si vendos recepsionisti se cilën dhomë do t’ju japë?

Zonë Turizmi
Aug 5
2 min read

Gjatë punës sime në hoteleri kam kuptuar se pothuajse çdo hotel ka disa dhoma që stafi shpreson të mos ketë nevojë t'i japë, jo sepse janë domosdoshmërisht të këqija, por sepse e di që kanë më shumë gjasa të sjellin ankesa. Nëse hoteli nuk është plot, recepsioni zakonisht përpiqet t'u japë turistëve një alternativë më të mirë. Por kur sezoni arrin kulmin dhe çdo dhomë është e zënë, edhe këto dhoma bëhen pjesë e lojës.


Nga përvoja ime, ankesat më të shpeshta nuk kanë qenë për pastërtinë, por për pozicionin dhe karakteristikat e dhomës. Shpesh turistët ankoheshin për dhoma pranë ashensorit, ku kishte lëvizje dhe zhurmë gjatë gjithë ditës, për dhoma pranë amfiteatrit ose diskotekës ku muzika vazhdonte deri vonë, apo për dhoma me pamje nga rruga, parkingu ose pjesa e pasme e hotelit, ndërkohë që në reklama kishin parë vetëm pamje nga deti ose pishina.


Ka pasur edhe raste kur turistëve u janë caktuar dhoma të përshtatura për persona me aftësi të kufizuara, vetëm sepse ishin të vetmet të lira në atë moment. Edhe pse këto dhoma janë plotësisht funksionale dhe të ndërtuara sipas standardeve, jo të gjithë turistët ndihen rehat kur kuptojnë se mobilimi dhe banja janë ndryshe nga sa prisnin.


Po ashtu, nuk kanë munguar ankesat për dhoma me erë lagështie, me ajrim jo të mirë ose pranë zonave teknike të hotelit. Shpesh këto nuk janë probleme që i has çdo turist, por kur ndodhin, janë pikërisht ato që mbahen mend më gjatë.


Prandaj, sa herë që hoteli ka mundësi, recepsioni përpiqet t'i shmangë këto dhoma. Por në kulmin e sezonit, kur çdo krevat është i rezervuar, zgjedhjet ngushtohen dhe ndonjëherë edhe dhoma që stafi nuk do të donte ta jepte, bëhet e vetmja alternativë.

 
 

Zonë Turizmi është një portal online që ofron informacione për industrinë e turizmit.

Gjithashtu, portali synon të lidhë konsumatorin me produktet turistike dhe t'i promovojë ato.

© 2024 Zonë Turizmi - Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

bottom of page