A mund të pasurojë turizmi banorët apo vetëm investitorët?
- Zonë Turizmi
- 14 minutes ago
- 3 min read

Sa herë flitet për një investim të madh turistik, zakonisht dëgjojmë të njëjtat premtime: vende pune, zhvillim ekonomik, mirëqenie për banorët dhe një të ardhme më e mirë për të gjithë. Në letër tingëllon bukur. Por pyetja që gjithmonë më ka interesuar është: a pasurohen vërtet banorët apo pasurohen kryesisht investitorët?
Gjatë pesë viteve që kam punuar në Antalya, pothuajse çdo ditë kam biseduar me banorë vendas që punonin në turizëm. Shumica dërrmuese e tyre kishin të njëjtin mendim: nuk ishin të kënaqur me jetën që u kishte sjellë turizmi masiv.
Paradoksi ishte interesant. Jetonin në një nga destinacionet më të famshme turistike në botë, por nuk kishin kohë ta shijonin atë. Gjatë verës punonin me ritëm të jashtëzakonshëm, me orare të gjata dhe me mijëra turistë për t'u shërbyer çdo ditë. Në fund të muajit, pagesa nuk ishte ajo që prisnin në këmbim të lodhjes. Ndërsa në dimër, kur turistët largoheshin, shumë prej tyre mbeteshin me më pak punë ose me të ardhura të reduktuara.
Shpesh me shaka u thosha: "Të lumtë ju që jetoni në Antalya, laheni çdo ditë në plazhet më të bukura të Mesdheut." Ata zakonisht qeshnin dhe më pyesnin: "Po ku janë ato plazhe, se ne ende nuk i kemi gjetur?"
Në fillim më dukej si shaka, por me kalimin e kohës e kuptova se kishte shumë të vërtetë brenda saj. Shumë prej tyre e fillonin sezonin turistik në pranverë dhe e mbaronin në vjeshtë pa i futur fare këmbët në det. Jo pse nuk donin, por sepse turizmi është një punë shumë dinamike. Një ditë ke turistë në aeroport, tjetrën në hotel, pastaj vijnë grupet, ankesat, rezervimet dhe detyrat e përditshme. Papritur e kupton se sezoni ka mbaruar dhe ti je aq i lodhur sa mezi pret të pushosh.
Paradoksi është se miliona turistë udhëtojnë mijëra kilometra për të shijuar detin e Antalyas, ndërsa shumë prej atyre që jetojnë pranë tij e shohin detin çdo ditë, por nuk gjejnë kohë të hyjnë në të. Në fund, turisti kthehet në shtëpi me ngjyrë bronzi, ndërsa punonjësi i turizmit me sy të skuqur nga lodhja dhe me pyetjen se ku paska ikur vera kaq shpejt.
Por nuk ishin vetëm punonjësit e hoteleve që mendonin kështu. Të njëjtin mendim e dëgjoja shpesh edhe nga fermerët, furnizuesit e hoteleve, prodhuesit lokalë dhe bizneset e vogla që shisnin produkte bujqësore apo mallra të tjera për industrinë turistike. Edhe pse përfitonin nga turizmi, shumë prej tyre ankoheshin se fuqia e madhe negociuese e resorteve dhe zinxhirëve hotelierë i detyronte të pranonin çmime të ulëta, ndërsa fitimet më të mëdha mbeteshin sërish te kompanitë e mëdha.
Një aspekt tjetër që kam vërejtur është se turizmi krijon bindjen se e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura është puna në këtë sektor. Si rezultat, shumë të rinj orientohen vetëm drejt turizmit dhe lënë pas dore profesione të tjera që mund t'u ofronin më shumë stabilitet, paga më të mira dhe një cilësi më të lartë jetese.
Në fund krijohet një paradoks interesant: njerëzit punojnë gjithë verën për t'u krijuar pushime turistëve, ndërsa vetë kanë shumë pak kohë për të shijuar plazhet dhe bukuritë natyrore që i kanë pranë shtëpisë së tyre.
Kjo nuk do të thotë se turizmi është i keq. Përkundrazi, ai sjell vende pune, para dhe investime. Por realiteti është se fitimet më të mëdha zakonisht përfundojnë te pronarët e mëdhenj, zinxhirët hotelierë dhe investitorët, ndërsa banorët lokalë marrin një pjesë shumë më të vogël të tortës.
Pikërisht për këtë arsye mendoj se kur flasim për investime të mëdha turistike, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te numri i turistëve apo madhësia e resortit. Më e rëndësishme është të krijohen mekanizma që banorët lokalë të jenë pjesë reale e fitimit. Fermerët, prodhuesit lokalë, peshkatarët, bizneset familjare dhe ofruesit e shërbimeve duhet të jenë hallkë e detyrueshme e këtij zhvillimi dhe jo thjesht spektatorë.
Turizmi duhet të jetë një industri që pasuron edhe vendin, edhe njerëzit që jetojnë në të. Përndryshe rrezikojmë të krijojmë destinacione të mbushura me turistë, ndërsa banorët vazhdojnë të pyesin veten se ku paska përfunduar gjithë ai zhvillim për të cilin u ishte premtuar.
Ndoshta suksesi më i madh i turizmit është kur një banor punon gjithë verën duke u treguar turistëve sa i bukur është vendi i tij, por nuk ka kohë ta shijojë vetë. Turisti largohet me foto të bukura dhe kujtime të paharrueshme, ndërsa banori mbetet duke pritur sezonin tjetër. Ndërkohë statistikat festojnë rekorde, investitorët festojnë fitime dhe banori vazhdon të kërkojë se ku ndodhet pjesa e tij e suksesit.