top of page

A po na manipulojnë influencuesit zgjedhjen e pushimeve?

  • Zonë Turizmi
  • 3 days ago
  • 3 min read

A po na ndihmojnë influencuesit të udhëtojmë apo po na e prishin udhëtimin pa u nisur ende?

Gjatë viteve që kam punuar me turistë nga vende të ndryshme, kam vënë re se vitet e fundit shumë prej tyre vinin me dilema. Kishin parë dhjetëra video për të njëjtin hotel, plazh apo destinacion dhe nuk dinin më kujt t'i besonin. Madje disa më pyesnin edhe për një rrugicë, një kënd fotografik apo një pamje që kishin parë në TikTok ose Instagram, ndërkohë që në realitet qasja deri atje ishte e vështirë ose pothuajse e pamundur. Pikërisht kjo më bëri të mendoj: a po na ndihmojnë influencuesit të udhëtojmë më shumë, apo po na krijojnë pritshmëri që nuk përputhen gjithmonë me realitetin?


Nuk e di nëse e keni vënë re, por sot duket sikur të gjithë janë bërë influencues udhëtimesh. Mjafton një telefon, një selfie stick, një kamerë 360 gradë ose një dron dhe... urime, sapo u bëtë ekspert turizmi!


Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.


Në fillimet e rrjeteve sociale, influencuesit ishin të paktë dhe pikërisht për këtë arsye gëzonin shumë më tepër besim. Ata vizitonin një vend, tregonin përvojën e tyre dhe ne i ndiqnim me simpati. Përmes tyre njihnim kultura të reja, shihnim vende që nuk i kishim dëgjuar kurrë dhe shpesh na lindte dëshira të thoshim:

"Një ditë do të shkoj edhe unë atje."


Sigurisht që edhe atëherë fitonin nga puna e tyre, por dukej sikur qëllimi kryesor ishte të ndanin përvojën e udhëtimit, jo të fitonin garën për videon më virale.


Pastaj erdhën algoritmet...

Dhe me to ndryshoi edhe loja.


Sot nuk fiton domosdoshmërisht ai që jep informacionin më të saktë.

Fiton ai që merr më shumë klikime.


Prandaj, për të njëjtin hotel ose destinacion, çdo ditë shohim tituj si:

"Mos e rezervoni këtë hotel pa parë këtë video!"

"Ja çfarë nuk ju tregojnë për këtë resort!"

"Gabimi që bëjnë 90% e turistëve!"

"Po ju tregoj të vërtetën që nuk e thotë askush!"

"Sekreti që hotelierët nuk duan ta dini!"

"Mos shko këtu, do të pendohesh!"

"Ky është destinacioni më i nënvlerësuar në botë!"


Dhe pas pesë minutash shfaqet një video tjetër që thotë pikërisht të kundërtën.

Njëri e quan hotelin parajsë.

Tjetri thotë se nuk ia vlen asnjë euro.

Njëri të bind se është destinacioni më i bukur në botë.

Tjetri të shpjegon pse nuk duhet ta vizitosh kurrë.

Në fund nuk e di nëse po kërkon një hotel për pushime apo po sheh një debat televiziv.


Kam filluar të kem edhe një ndjesi tjetër.


Dikur mezi prisja të vizitoja një vend, sepse nuk dija çfarë do të shihja.


Sot, para se të blej biletën, e kam parë të njëjtin vend nga qindra kënde të ndryshme. Me dron, me GoPro, me kamerë 360 gradë, në lindje të diellit, në perëndim, ditën, natën...

Madje ndonjëherë më duket sikur e kam vizituar destinacionin pa u nisur ende nga shtëpia.


Dhe pikërisht këtu mendoj se po humbasim diçka shumë të bukur.

Po humbasim emocionin e zbulimit.


Sepse bukuria e udhëtimit nuk ka qenë vetëm destinacioni.

Ka qenë edhe surpriza.

Ka qenë rrugica që nuk e kishe parë askund.

Restoranti i vogël që nuk kishte miliona shikime.

Plazhi që e zbulove rastësisht.

Ato janë kujtimet që mbeten gjatë.


Sot influencuesit janë aq të shumtë sa ndonjëherë duket sikur nuk luftojnë më për të na bindur ne të udhëtojmë.

Ata luftojnë me njëri-tjetrin për t'i bindur algoritmit se videoja e tyre meriton më shumë shikime.


Dhe kur hyn në atë garë, shpesh nuk fiton e vërteta.

Fiton titulli më ekstrem.

Fiton videoja më dramatike.

Fiton videoja që krijon debat.

Ndërkohë realiteti zakonisht qëndron diku në mes.


Një tjetër fenomen që më bën përshtypje është se sot disa influencues japin mendim për gjithçka.

Sot janë ekspertë turizmi.

Nesër ekonomistë.

Pasnesër dietologë.

Të premten flasin për edukimin e fëmijëve.

Të shtunën analizojnë politikën ndërkombëtare.


Vetëm motin nuk e ndryshojnë... edhe pse, me këtë ritëm, nuk do të çuditesha nëse dikush do të publikonte një video me titull: "5 mënyra si ta bindni shiun të mos bjerë gjatë pushimeve."


Nuk jam kundër influencuesve.


Përkundrazi, shumë prej tyre bëjnë një punë të shkëlqyer dhe kanë ndihmuar në promovimin e destinacioneve që ndoshta nuk do t'i kishim njohur kurrë.


Por mendoj se ka ardhur koha t'i ndjekim me më shumë mendim kritik.

Të marrim informacion prej tyre, por jo ta konsiderojmë atë si të vërtetën absolute.

Sepse udhëtimi ka ekzistuar shumë përpara Instagramit dhe TikTok-ut.

Ndoshta duhet të shohim më pak video dhe të përjetojmë më shumë realitet.


Le të na befasojë një vend.

Le të humbim pak rrugën.

Le të zbulojmë diçka që algoritmi nuk na e kishte treguar.


Sepse në fund, udhëtimi nuk është garë për të parë sa video ke parë për një destinacion. Është kënaqësia për ta zbuluar atë me sytë e tu.


Autor: Lavdim Pepaj

 
 

Zonë Turizmi është një portal online që ofron informacione për industrinë e turizmit.

Gjithashtu, portali synon të lidhë konsumatorin me produktet turistike dhe t'i promovojë ato.

© 2024 Zonë Turizmi - Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

bottom of page