top of page

Animacioni për fëmijë – shpëtimi i pushimeve familjare

  • Zonë Turizmi
  • 20 hours ago
  • 2 min read

Autor: Lavdim Pepaj


Gjatë punës sime si guidë në Antalya, një nga gjërat që binte më shumë në sy ishte roli i animatorëve në hotel. Ata ishin personat që nuk lejonin që pushuesit të binin në monotoni gjatë qëndrimit të tyre. Që herët në mëngjes e deri në orët e vona të mbrëmjes, pa pushim, organizonin aktivitete për të gjitha moshat.


Programi fillonte zakonisht me aktivitete të lehta sportive, lojëra pranë pishinës apo në plazh, vazhdonte me gara, aktivitete kreative dhe përfundonte me shfaqje në mbrëmje. Atmosfera krijohej gradualisht dhe shpesh turistët, edhe ata më të rezervuarit, përfshiheshin në aktivitet.

Për prindërit me fëmijë, pjesa më e rëndësishme ishte angazhimi i animatorëve me më të vegjlit. Lojërat, mini-club, piktura në fytyrë, mini-disko dhe aktivitetet kreative krijonin momente që fëmijët nuk i harronin lehtë. Për shumë prej tyre, këto aktivitete bëheshin pjesa më e bukur e pushimit.


Në shumë raste, ndodhte që fëmijët të prisnin me padurim orarin e mini-club-it, ndërsa prindërit kishin mundësi të shijonin disa orë më të qeta. Kjo e bënte pushimin më të balancuar për të gjithë familjen.


Animatorët nuk janë vetëm argëtues. Ata janë organizatorë, komunikues dhe shpesh edhe personat që krijojnë atmosferën sociale në hotel. Një ekip i mirë animacioni mund ta bëjë diferencën mes një pushimi të zakonshëm dhe një pushimi që mbahet mend gjatë.

Turizmi familjar është një nga segmentet më të rëndësishme të industrisë turistike dhe animacioni për fëmijë është bërë një element pothuajse i domosdoshëm. Hotelet që investojnë në programe cilësore animacioni krijojnë përvojë më të plotë për mysafirët dhe rrisin mundësinë që familjet të rikthehen përsëri.


Sepse në fund, kur fëmijët janë të kënaqur, pushimi bëhet më i lehtë edhe për prindërit. Dhe shpesh kujtimet më të bukura të pushimeve lidhen pikërisht me ato lojëra dhe aktivitete që zhvillohen larg telefonave dhe larg rutinës së përditshme.

 
 

Zonë Turizmi është një portal online që ofron informacione për industrinë e turizmit.

Gjithashtu, portali synon të lidhë konsumatorin me produktet turistike dhe t'i promovojë ato.

© 2024 Zonë Turizmi - Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

bottom of page