top of page

Kur vendasit bëhen turistë në qytetin e tyre

  • Zonë Turizmi
  • 3 hours ago
  • 2 min read

Për qindra vjet, këto qytete i përkisnin banorëve të tyre. Në të njëjtat rrugë ecën gjyshërit e tyre, në të njëjtat sheshe luanin fëmijët dhe në të njëjtat dyqane blinin bukën e përditshme. Jeta zhvillohej me ritmin e saj normal, larg turmave, larg selfie-ve dhe larg zhurmës së pandërprerë.


Pastaj erdhi turizmi.


Në fillim dukej si bekim. Më shumë punë, më shumë para, më shumë mundësi. Hotele të reja, restorante të reja, investime dhe ekonomi më e fortë. Askush nuk mund ta mohonte se turizmi solli mirëqenie dhe të ardhura të mëdha.


Por me kalimin e viteve, shumë qytete filluan të kuptonin se kishin humbur diçka që nuk mund të matej me para.


Dyqanet ku vendasit blinin ushqimet u kthyen në dyqane suveniresh. Shtëpitë familjare u shndërruan në apartamente turistike. Kafenetë e lagjeve u mbushën me vizitorë që qëndrojnë vetëm disa orë. Rrugët ku banorët njihnin njëri-tjetrin me emër u mbushën me turma të pafundme njerëzish që vijnë e ikin çdo ditë.


Sot, në qytete si Venecia, Barcelona apo Dubrovniku, shumë banorë ndihen si mysafirë në vendin e tyre. Ata jetojnë aty, por qyteti nuk funksionon më për ta. Funksionon për turistët.

Ndoshta në fillim fitimet dukeshin më të rëndësishme. Por me kalimin e kohës, shumë njerëz kuptuan se qetësia, komuniteti, marrëdhëniet mes fqinjëve dhe ndjenja e përkatësisë kishin një vlerë që nuk mund të llogaritet në euro.


Problemi është se për këto qytete tashmë mund të jetë vonë. Turizmi është bërë burim gjigant i të ardhurave për bizneset dhe shtetin. Edhe kur autoritetet përpiqen të vendosin kufizime, taksa apo rregulla të reja, çdo vit sjell një rekord të ri vizitorësh. Çdo cep i qytetit komercializohet. Çdo rrugicë, çdo shesh dhe çdo pamje shndërrohet në produkt për konsum turistik.


Nuk e di nëse duhet t'i quajmë me fat apo pa fat banorët që vazhdojnë të jetojnë në këto vende. Nga njëra anë jetojnë në disa nga qytetet më të famshme të botës. Nga ana tjetër, protestat që shohim pothuajse çdo vit tregojnë se shumë prej tyre nuk janë të lumtur.


Dhe këtu lind një pyetje interesante: a ekziston një kufi për turizmin?


Në teori, toka është e të gjithëve. Çdokush që ka mundësi duhet të ketë të drejtën të udhëtojë dhe të vizitojë vendet që dëshiron. Por realiteti është më i ndërlikuar. Disa qytete kanë fatin ose barrën të jenë më të bukura, më të famshme dhe më të dëshiruara se të tjerat. Miliona njerëz u drejtohen atyre çdo vit, duke mbërritur me smartphone në dorë, duke kërkuar fotografinë perfekte, duke pritur në radhë apo duke u shtyrë me bërryla për të kapur këndin më të mirë.


Paradoksi është se të gjithë shkojnë për të përjetuar autenticitetin, ndërsa prania masive e tyre është pikërisht ajo që e zbeh atë.


Ndoshta sfida më e madhe e turizmit modern nuk është si të sjellim më shumë turistë. Sfida është si të ruajmë shpirtin e vendeve që turistët vijnë për të parë. Sepse në momentin kur një qytet humbet banorët, zakonet dhe jetën e tij të përditshme, ai rrezikon të mbetet vetëm një skenë e bukur, ku aktorët kryesorë janë larguar prej kohësh.

 
 

Zonë Turizmi është një portal online që ofron informacione për industrinë e turizmit.

Gjithashtu, portali synon të lidhë konsumatorin me produktet turistike dhe t'i promovojë ato.

© 2024 Zonë Turizmi - Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

bottom of page