Më thuaj sa rri në kafene, të të them nga je
- Zonë Turizmi
- Dec 5, 2025
- 2 min read

Në Evropë, kafenetë nuk janë thjesht vende ku pihet një ekspres. Në disa shtete ato janë skenë sociale, në disa të tjera thjesht stacion tranziti mes shtëpisë dhe punës. Dallimi nuk lidhet vetëm me shijen e kafesë, por me kulturën e jetesës.
Në Evropën Veriore dhe Qendrore, njerëzit e pijnë shumë kafenë, por rrimë pak në kafene. Suedezët, norvegjezët dhe finlandezët konsumojnë ndër sasitë më të larta të kafesë në botë, por jo duke qëndruar për orë të tëra në tavolina. Kafja pihet në shtëpi, në zyrë ose merret “take-away”. Kafeneja nuk është vend qëndrimi, por ndalesë e shpejtë. Çmimet e larta, klima e ftohtë dhe kultura e privatësisë e bëjnë qëndrimin e gjatë të panevojshëm.
Gjermania dhe Zvicra ndjekin një logjikë të ngjashme. Kafe funksionale, që pin gjatë një pushimi të shkurtër pune ose një takimi të planifikuar. Tavolina lirohet shpejt. Askush nuk bezdiset nëse pi një kafe në 10 minuta dhe ikën.
Por mjafton të zbresësh drejt jugut të Evropës dhe tabloja ndryshon krejtësisht.
Në Itali, kafeneja është pjesë e ritmit urban. Edhe pse shumë italianë pinë kafenë shpejt në banak, dalja në bar ndodh disa herë në ditë. Në Spanjë, një kafe shoqërohet me bisedë, pushim dhe shpesh zgjatet në orë. Greqia është ndoshta kampione e qëndrimit të gjatë: një kafe greke ose një freddo espresso mund të shoqërohet me dy orë bisedë pa asnjë presion për t’u larguar.
Në Ballkan, sidomos në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, kafeneja nuk është thjesht ambient – është institucion social. Njerëzit nuk shkojnë për kafe, por “dalin në kafe”. Një filxhan mjafton për të zënë një tavolinë për një orë apo më shumë. Kafeneja zëvendëson sallonin e shtëpisë, zyrën, nganjëherë edhe këshillimin informal për jetën.
Ku qëndrohet më pak në kafene:
Suedia
Norvegjia
Finlanda
Gjermania
Zvicra
Ku qëndrohet më shumë në kafene:
Greqia
Spanja
Italia
Shqipëria
Kosova
Ky kontrast është i rëndësishëm edhe për turizmin. Turistët nga vendet nordike presin efikasitet dhe shërbim të shpejtë, ndërsa turistët nga Europa jugore ose Ballkani kërkojnë rehati dhe kohë. Një kafene që funksionon mirë në Oslo nuk do të kishte sukses në Tiranë – dhe anasjelltas.
Në fund, kafja është e njëjtë, por mënyra si e konsumojmë tregon shumë për ritmin e shoqërisë, për kohën që i japim vetes dhe të tjerëve. Dhe ndoshta, pikërisht kjo e bën Evropën kaq interesante: disa e pinë kafenë për t’u zgjuar, disa për të jetuar pak më ngadalë.


