top of page

Sa lloje turizmi ekzistojnë? Apo çdo arsye për të udhëtuar është një lloj turizmi?

Zonë Turizmi
Jul 30
3 min read

Sa herë flasim për turizmin, zakonisht na vijnë ndër mend plazhi, malet apo vizitat në qytete historike. Mirëpo, sa më shumë e studion këtë industri, aq më shumë kupton se turizmi nuk kufizohet vetëm te pushimet verore.


Gjatë studimeve në menaxhim turizmi, mësuam format klasike të turizmit: turizmin bregdetar, kulturor, malor, rural, shëndetësor, fetar, të biznesit, sportiv, gastronomik dhe disa të tjera. Këto janë format që i gjen pothuajse në çdo libër universitar dhe që përbëjnë bazën e industrisë turistike.


Por vitet kalojnë dhe dëgjon terma të rinj pothuajse çdo muaj. Bleisure Travel, Set-Jetting, Dark Tourism, Slow Travel, Noctourism, Glamping, Astrotourism, Detour Destinations... dhe lista vazhdon të zgjatet.


Kjo më ka bërë shpesh të mendoj: a ka vërtet kaq shumë lloje turizmi, apo ne kemi filluar t'i vendosim një emër çdo arsyeje që e shtyn njeriun të udhëtojë?


Nëse dikush udhëton për një koncert, kemi turizmin muzikor. Nëse udhëton për një ndeshje futbolli, kemi turizmin sportiv. Nëse shkon për verë, kemi turizmin e verës. Nëse ndjek vendet ku janë xhiruar filmat, kemi Set-Jetting. Nëse udhëton për të parë yjet natën, kemi Astrotourism. Nëse kërkon qetësi dhe ecën ngadalë, kemi Slow Travel.


Me këtë ritëm, nuk do të çuditesha nëse nesër do të dëgjonim edhe ndonjë kategori si "turizmi i kafes së mëngjesit", ku dikush udhëton vetëm për të pirë një espresso në Itali, apo "turizmi i dajve", ku arsyeja kryesore e udhëtimit është vizita te dajat. Në fund të fundit, teknikisht hyn te turizmi familjar, por pse të mos ketë edhe emrin e vet? Ose "turizmi i dasmave", ku njerëzit përshkojnë qindra kilometra vetëm për të marrë pjesë në një ceremoni familjare. Sigurisht, këto nuk janë kategori zyrtare, por tregojnë se sa e lehtë është të krijosh një "lloj të ri" nëse kriteri bëhet vetëm arsyeja e udhëtimit.


Në një farë mënyre, kjo është edhe bukuria e turizmit. Ai është një industri që evoluon bashkë me shoqërinë. Sa herë ndryshojnë interesat, mënyra e jetesës apo teknologjia, lind edhe një mënyrë e re për të udhëtuar. Nuk është rastësi që sot flasim për turizmin e inteligjencës artificiale, për punën nga distanca (Workation) apo për Bleisure Travel, koncepte që para një dekade pothuajse nuk përmendeshin.


Megjithatë, pavarësisht emrave të rinj, nuk duhet të harrojmë se disa forma të turizmit mbeten shtylla kryesore e industrisë dhe gjenerojnë pjesën më të madhe të lëvizjeve turistike dhe të ardhurave në botë.


Ndër më të rëndësishmet janë:


  • Turizmi bregdetar – forma më e përhapur e pushimeve në botë.

  • Turizmi kulturor – qytetet historike, muzetë dhe trashëgimia kulturore.

  • Turizmi urban (City Break) – vizitat e shkurtra në qytete.

  • Turizmi malor dhe i aventurës – ecje, ski, alpinizëm dhe aktivitete në natyrë.

  • Turizmi i biznesit (MICE) – konferenca, kongrese, panaire dhe udhëtime stimuluese.

  • Turizmi gastronomik – eksplorimi i kuzhinës dhe produkteve lokale.

  • Turizmi rural – përvoja autentike në fshat dhe agroturizëm.

  • Turizmi shëndetësor dhe wellness – spa, rehabilitim dhe kujdes për mirëqenien.

  • Turizmi me kroçiera – një nga segmentet me rritjen më të shpejtë në dekadat e fundit.


E vërteta është se nuk ka aq shumë rëndësi nëse nesër do të shpiken edhe dhjetë emra të rinj për forma të ndryshme të udhëtimit. Ajo që ka rëndësi është se çdo udhëtim krijon një përvojë dhe lë një ndikim ekonomik te destinacioni.


Ndoshta fokusi nuk duhet të jetë te numri i llojeve të turizmit, por te fakti se çdo motiv për të udhëtuar mund të shndërrohet në një kategori më vete.


Autor: Lavdim Pepaj

 
 

Zonë Turizmi është një portal online që ofron informacione për industrinë e turizmit.

Gjithashtu, portali synon të lidhë konsumatorin me produktet turistike dhe t'i promovojë ato.

© 2024 Zonë Turizmi - Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

bottom of page