Mes flamingove, miliardave dhe shumë pikëpyetjeve
- Zonë Turizmi
- Jun 2
- 4 min read
Updated: Jun 23

Prej muajsh po flitet për investimet e mëdha turistike në Sazan dhe Zvërnec. Megjithatë, sa më shumë kalon koha, aq më shumë duket se projekti po shoqërohet me paqartësi sesa me qartësi. Protestat po shtohen, kundërshtimet po bëhen më të zëshme dhe opinioni publik po ndahet në dy kampe: ata që e shohin si një mundësi historike për zhvillimin e turizmit dhe ata që e konsiderojnë një kërcënim për natyrën, trashëgiminë dhe identitetin e zonës.
Problemi më i madh nuk është vetë projekti. Problemi më i madh është mungesa e informacionit. Kur njerëzit nuk marrin përgjigje të qarta, boshllëkun e mbushin me dyshime. Dhe pikërisht kjo po ndodh sot.
Si dikush që ka studiuar turizëm dhe ka punuar për pesë vite në Antalya, një nga destinacionet më të zhvilluara të turizmit masiv në Mesdhe, mendoj se mund të ndaj disa mendime dhe shqetësime personale mbi këtë debat. Gjatë viteve të punës sime kam parë nga afër se si funksionojnë resortet e mëdha, çfarë përfitimesh sjellin ato, por edhe cilat janë sfidat që i shoqërojnë. Pikërisht për këtë arsye, e shoh debatin për Sazanin dhe Zvërnecin pak më ndryshe.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për transparencë. Sepse kur mungon transparenca, lindin thashethemet. Kur lindin thashethemet, lind frika. Dhe kur lind frika, çdo projekt, sado i madh apo i vogël, fillon të humbasë mbështetjen e publikut.
Pas lajmeve për problemet e pronësisë në këtë zonë dhe mungesës së një plani të detajuar se si do të realizohet konkretisht investimi, përtej deklaratave për miliarda dollarë, personalisht e kam të vështirë ta mbështes këtë projekt në formën aktuale.
Jo sepse jam kundër investimeve apo kundër turizmit. Përkundrazi. Shqipëria ka nevojë për investime, por para se të flasim për investime gjigante, kemi nevojë për investime edhe më të mëdha në arsim, në kuadro profesionale dhe në institucione të forta.
Kjo është pikërisht ajo që bëri Turqia. Përpara se Antalya të shndërrohej në një nga destinacionet më të fuqishme turistike në Mesdhe, shteti investoi për dekada në shkolla profesionale, fakultete turizmi, qendra trajnimi dhe përgatitjen e kuadrove. U krijuan menaxherë, kuzhinierë, guida turistike, specialistë marketingu dhe profesionistë të hotelerisë, të cilët më pas u bënë shtylla kryesore e zhvillimit të sektorit. Investitorët e huaj erdhën, por gjetën një fuqi punëtore të përgatitur dhe institucione që ishin në gjendje të menaxhonin dhe mbikëqyrnin këtë zhvillim.
Përvoja e disa vendeve me standard të ulët jetese ka treguar se investimet gjigante në turizëm nuk e kanë pasuruar automatikisht popullsinë vendase. Përkundrazi, në shumë raste ato kanë rritur çmimet e pronave dhe koston e jetesës, ndërsa një pjesë e madhe e fitimeve ka përfunduar jashtë vendit. Banorët vendas kanë përfituar kryesisht vende pune me paga të ulëta, ndërsa standardi i ri i krijuar nga këto investime e ka bërë jetën më të shtrenjtë dhe më të vështirë për shumë prej tyre.
Madje, një shembull i thjeshtë më ka bërë të reflektoj edhe më shumë. Vitin e kaluar kalova dy net pushime në një hotel mjaft të njohur në Shëngjin dhe ajo që më ra menjëherë në sy, por edhe në vesh, ishte se pothuajse i gjithë personeli i restorantit fliste turqisht, ndërsa edhe shefi i tyre ishte turk. Nuk kam asgjë kundër stafit të huaj, përkundrazi, por kjo më bëri të mendoj se çfarë mund të ndodhë nesër me projekte shumë më të mëdha, kur një hotel i vetëm ka nevojë të sjellë pothuajse të gjithë stafin e kuzhinës dhe restorantit nga jashtë.
Pikërisht këtu qëndron shqetësimi im. Para se të ndërtojmë resorte luksoze, duhet të ndërtojmë kapitalin njerëzor. Na duhen shkolla më të forta të turizmit, programe profesionale, menaxherë, planifikues, specialistë të marketingut, ekspertë të mjedisit dhe institucione që nesër të jenë në gjendje jo vetëm të tërheqin investime, por edhe t'i mbikëqyrin dhe t'i menaxhojnë ato në interes të vendit.
Sepse investitorët do të vijnë, me ose pa ne. Pyetja nuk është nëse do të ketë investime, por nëse ne jemi të përgatitur të nxjerrim maksimumin prej tyre. A do të kemi mundësi të krijojmë vende pune cilësore për të rinjtë shqiptarë? A do të kemi kuadro që të marrin pozicionet drejtuese apo do të mjaftohemi me rolet më të thjeshta, ndërsa menaxhimi dhe fitimet kryesore do të mbeten në duart e të tjerëve?
Kam drojën se sot ende nuk jemi në atë pikë. Shqipërisë nuk i mungon potenciali, por ndoshta i duhet pak më shumë kohë, më shumë profesionalizëm dhe më shumë transparencë. Sepse zhvillimi nuk matet me shpejtësinë e betonit, por me aftësinë e një shoqërie për të menaxhuar atë që ndërton.
Një investim i madh nuk matet vetëm me miliardat që premtohen, por me atë që mbetet pas 20 apo 30 vitesh. Nëse pas disa dekadash natyra është ruajtur, banorët janë pasuruar, bizneset vendase janë forcuar dhe të rinjtë shqiptarë drejtojnë vetë industrinë, atëherë mund të flasim për sukses.
Por nëse pasuria natyrore është humbur, kostoja e jetesës është rritur dhe përfitimet më të mëdha kanë dalë jashtë vendit, atëherë miliardat e investuara nuk do të thonë domosdoshmërisht se kemi fituar.
Dhe pikërisht për këtë arsye, besoj se sot kemi nevojë për më pak entuziazëm dhe më shumë planifikim dhe më shumë profesionalizëm. Sepse turizmi nuk ndërtohet vetëm me para. Turizmi ndërtohet me dije, institucione të forta dhe vizion afatgjatë.
Autor: Lavdim Pepaj