top of page

Tenis, yoga dhe turizmi modern

  • Zonë Turizmi
  • 5 days ago
  • 2 min read



Rekreacioni sportiv në turizëm: tenis, yoga, fitness dhe aktivitetet outdoor po bëhen arsye për të zgjedhur destinacionin


Nga Lavdim Pepaj


Gjatë punës sime në Antalya me turistë nga vende të ndryshme, vërehej qartë se shumë prej tyre e shfrytëzonin pushimin jo vetëm për relaks, por edhe për aktivitete sportive. Këtë kuriozitet mund ta vëreje që në orët e hershme të mëngjesit, kur disa turistë – sidomos nga vendet e Evropës Perëndimore si Gjermania, Holanda, Belgjika dhe shtetet skandinave – e fillonin ditën me sportin e tyre të preferuar. Disa shkonin drejt fushave të tenisit, të tjerë drejt palestrës apo në hapësirat ku organizoheshin sesione yoga, ndërsa një pjesë zgjidhnin ecjen ose vrapimin pranë detit.

Ky fenomen tregon qartë se për shumë turistë, pushimet nuk janë më vetëm qëndrim në shezlong apo konsum i shërbimeve klasike të hotelit. Pushimi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një kombinim mes relaksit dhe stilit aktiv të jetës. Për shumë vizitorë, ndërprerja e aktiviteteve sportive gjatë pushimeve konsiderohet si humbje e rutinës personale, prandaj ata kërkojnë destinacione që u ofrojnë mundësi për të vazhduar hobit e tyre.


Sporti si pjesë e eksperiencës turistike

Aktivitetet si tenisi, yoga, fitness, biçiklizmi apo ecjet në natyrë i japin pushimeve një dimension tjetër. Turistët nuk kërkojnë vetëm pamje të bukura, por edhe mundësi për t’u ndjerë aktivë dhe energjikë gjatë qëndrimit të tyre. Në shumë raste, programet rekreative ndikojnë drejtpërdrejt në kënaqësinë e klientit dhe në mënyrën si ai e vlerëson hotelin apo destinacionin.

Hotelet që ofrojnë fusha sportive, instruktorë profesionalë apo programe të organizuara rekreative krijojnë një eksperiencë më të plotë turistike. Pushuesit nuk kujtojnë vetëm dhomën apo ushqimin, por edhe aktivitetet që kanë përjetuar gjatë pushimit.


Nga luks në standard

Dikur, aktivitetet sportive konsideroheshin si një shërbim shtesë në resortet luksoze. Sot, ato po bëhen standard në shumë destinacione turistike. Edhe hotelet e kategorive të mesme po investojnë në palestra, klasa yoga apo aktivitete outdoor për të qëndruar konkurruese në treg.

Turistët aktivë shpesh qëndrojnë më gjatë dhe janë më të angazhuar gjatë gjithë ditës, duke rritur edhe shpenzimet brenda hotelit. Për këtë arsye, rekreacioni nuk është vetëm argëtim, por edhe një mundësi ekonomike për industrinë e turizmit.


Aktivitetet outdoor – trend në rritje

Ecjet në natyrë, sportet e aventurës dhe aktivitetet në ambient të hapur po bëhen gjithnjë e më të kërkuara. Turistët kërkojnë eksperienca autentike dhe një lidhje më të fortë me natyrën. Destinacionet që ofrojnë shtigje për hiking, biçiklizëm apo aktivitete të tjera outdoor kanë një avantazh të qartë konkurrues.

Shqipëria dhe rajoni kanë potencial të madh për zhvillimin e rekreacionit sportiv falë bregdetit, maleve dhe klimës së favorshme. Investimi në aktivitete sportive mund të ndihmojë edhe në zgjatjen e sezonit turistik, duke tërhequr vizitorë edhe jashtë muajve të verës.


Turisti i ri kërkon eksperiencë aktive

Turistët e sotëm nuk kërkojnë vetëm relaks, por një eksperiencë të plotë që kombinon argëtimin, shëndetin dhe stilin aktiv të jetës. Në këtë kontekst, rekreacioni sportiv po bëhet një element i rëndësishëm i turizmit modern dhe një faktor që ndikon drejtpërdrejt në zgjedhjen e destinacionit.


Destinacionet që arrijnë të kombinojnë natyrën, sportin dhe shërbimin cilësor do të kenë avantazh në një treg gjithnjë e më konkurrues.

 
 

Zonë Turizmi është një portal online që ofron informacione për industrinë e turizmit.

Gjithashtu, portali synon të lidhë konsumatorin me produktet turistike dhe t'i promovojë ato.

© 2024 Zonë Turizmi - Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

bottom of page